Nga Qeveria gjermane që drejton kancelarja Angela Merkel thonë se mbështesin dialogun e drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe se janë për një marrëveshje, e cila është në të mirën e serbëve dhe shqiptarëve dhe që nuk cënon stabilitetin e rajonit. Një qëndrim të tillë nga Berlini zyrtar e kanë dhënë për Gazetën Express të pyetur rreth deklarimeve të Borellit dhe rreth asaj nëse kundërshtojnë idenë e prekjes së kufijve.
Berlini zyrtar në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar idenë e lëvizjes së kufijve mes Kosovës dhe Serbisë qëkur për një nismë të tillë u fol publikisht nga Thaçi e Vuçiq në Forumin e Alpabachut në Austri në gushtin e 2018-s.
Ideja e shumëkundërshtuar për korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh që cilësohej e rrezikshme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor konsiderohej se u varros në Samitin e Berlinit që u mbajt në fundprillin e vitit të kaluar, megjithatë deklarimet e fundit të Josep Borellit, vërtetojnë atë që disa analistë e kishin pohuar se ideja e shkëmbimit të territoreve “s’ka vdekur, por është endur si një fantazmë”.