Sot Covid 19 ua mori jetën dy të moshuarave, të gjitha viktimat në Kosovë kishin edhe sëmundje tjera
Një 73-vjeçare nga Peja dhe një 71-vjeçare nga Vushtrria, të infektuara me koronavirus, kanë vdekur sot. Pacientja nga Peja ka qenë rasti i parë me COVID-19 nga kjo komunë dhe ka qenë duke u trajtuar në Klinikën Infektive që nga 25 marsi. Ajo ka lënë pas vetes pesë familjarë të infektuar, gjendja e të cilëve është stabile. Ndërkohë, pacientja nga Vushtrria ishte hospitalizuar në Infektivë më 5 prill dhe kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Me këto raste, numri i të vdekurve nga koronavirusi shkon në 11. Express u sjell detaje rreth këtyre rasteve.
Ishte 26 marsi kur në qytetin e Pejës u konfirmua rasti i parë me koronavirus. E infektuara ishte një 73-vjeçare nga fshati Llugagji, e cila kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Ajo ka vdekur sot në Klinikën Infektive që vepron në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku po trajtohej që nga 25 marsi.
Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë, përmes një postimi në faqen zyrtare.
“Klinika Infektive njofton se pacientja M.B. e lindur më 1947, nga komuna e Pejës, e cila ishte e hospitalizuar në Klinikën Infektive në Departamentin e Mjekimit Infektiv, e diagnostikuar me Covid-19 dhe e cila është trajtuar nga data 25 mars deri më 16 prill 2020, ka ndërruar sot jetë në këtë klinikë. E njëjta ka pasur edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në njoftim.
Në Komunën e Pejës aktualisht janë edhe pesë raste aktive me koronavirus. Të gjithë të infektuarit janë familjarë të ngushtë të 73-vjeçares. Detaje për gjendjen e tyre ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.
Loci i ka thënë Gazetës Express se gjendja e tyrë është stabile dhe se ata gjenden në vetizolim.
“Pesë të infektuarit e tjerë në Pejë janë fëmijë të saj dhe të afërm të ngushrë. Ata janë në vetizolim në shtëpitë e tyrë në fshatin Llugagji. Të infektuar janë djali dhe nusja, djali i kunatës dhe nusja e tij dhe një mbesë e saj. Gjendja shëndetësore e pesë të infektuarve tjerë është stabile dhe nën kontroll të institucionit shëndetësor”, ka thënë Loci për Express.
Katër orë më vonë, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për një vdekje tjetër nga COVID-19.
Viktima është një 71-vjeçare nga fshati Smrekonicë e Vushtrrisë, e cila ishte hospitalizuar në Infektivë më 5 prilll.
“Klinika Infektive e QKUK-së ka njoftuar në orët e pasdites në Njësinë e Kujdesit Intensiv të kësaj klinike ka përfunduar me vdekje pacientja F.H.(1949) nga Komuna e Vushtrrisë. Pacientja është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 05.04.2020, e referuar nga Qendra Emergjente e Spitalit të Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.
Sipas MSH’së, pacientja ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
“Pacientja ka qenë në gjendje të rëndë që nga pranimi në Klinikën Infektive, testi për SARS-CoV- 2 ka rezultuar pozitiv dhe përveç sëmundjes COVID-19 ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, njofton Ministria.
Me këto dy raste, numri i të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë shkon në 11’të.
Vdekja e parë nga koronavirusi ishte regjistruar më 22 mars. Pacienti i parë që ndërroi jetë nga koronavirusi ishte një 82-vjeçar nga Podujeva.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ai ishte pranuar në Infektivë në ditën e gjashtë të sëmundjes.
“Klinika Infektive informoi se sot, pacienti 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës, ka përfunduar me vdekje më 22.03.2020 në ora 9.00. Pacienti lindur më 1938 fshati Dumnicë, Komuna Podujevës është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020 në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas është diagnostikuar në Laboratoret e IKSHPK me SARS-CoV-2”, kishte njoftuar IKSHP’ja.
Pas dy javësh, në Infektivë kishin vdekur edhe dy pacientë të tjerë të prekur me COVID-19. Viktima e dytë ishte pranuar në Mjekimin Intenziv të Infektivës më 4 prill nga Emergjenca dhe kishte qenë pa vetëdije.
“Sot me datë 06.04.2020 në Klinikën Infektive të QKUK-së dy pacientë me COVID-19 kanë përfunduar me vdekje. Në ora 03:00 ka përfunduar me vdekje pacienti i gjinisë mashkull S. N, 1961, Prishtinë, i cili është pranuar në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 04. 04. 2020 transfer nga Qendra Emergjente e QKUK-së dhe ka qenë me sëmundje shoqëruese. Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive në gjendje të rëndë pa vetëdije”, njoftonte QKUK’ja.
Katër orë pas vdekjes së dytë, kishte ndërruar jetë edhe pacientja nga Korisha e Prizrenit. E njëjta kishte pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Në ora 07:10 ka përfunduar me vdekje pacientja e gjinisë femër, N. R, 1950, Korishë, Prizren, e cila është pranuar po ashtu në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 02. 04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese”, thuhej në njoftim.
Pacienti i katërt që vdiq nga koronavirusi ishte nga Ferizaj. Ai ishte pranuar në Emergjencë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pas arrestit kardiak kishte ndërruar jetë.
“I.SH ( 1955), i transferuar nga Spitali i Përgjithëm në Ferizaj, ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe i njëtji për shkak të arrestit kardiak, përkundër angazhimit maksimal nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente, ai nuk ka arritur të mbijetoi. I njëjti ka rezultuar pozitiv në Covid-19 pas testimit, post mortum”, kishte njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Edhe viktima e pestë e koronavirusit në vend kishte sëmundje shoqëruese.
“Me 5 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese (rasti i fundit nga Klinika Infektive me sëmundje shoqëruese infiltrim pulmonar, diabet tip 2, nefropati diabetike, tumor i gjëndrrës mbiveshkore të majtë, hipertension arterial dhe obezitet)”, kishte njoftuar IKSHP’ja për vdekjen e tij, pa dhënë detaje të tjera.
Rasti i gjashtë i vdekjes u regjistrua më 8 prill. Viktima ishte një 66-vjeçare nga Malisheva.
“Sot me 08.04.2020 në Klinikën Infektive të QKUK-së ka përfunduar me vdekje pacentja 66 vjeçe, nga Malisheva, e cila ka qenë e diagnostikuar me Covid-19. E njëjta ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhej në njoftimin e Institutit.
72 vjeçari nga Gjilani u bë viktima e shtatë nga koronavirusi. I njëjti ishte pranuar në Klinikën Infektive në gjendje të rëndë dhe kishte sëmundje shoqëruese.
“Klinika Infektive e QKUK-së ka njoftuar sonte se sot më 09.04.2020 në orët e mbrëmjes, në Njësinë e Kujdesit Intensiv të kësaj klinike, ka vdekur pacienti Z.I, i lindur më 1948 nga komuna e Gjilanit, i diagnostikuar me COVID 19. Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive me datën 31.03.2020 në gjendje të rëndë dhe kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.
Pacientja e tetë që humbi betejën me koronavirusin ishte një 39-vjeçare nga Istogu. Ajo ishte trasferuar në Infektivë më 12 prill dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe njëherësh e diagnostikuar me Covid 19.
“Sot me datë 13.04.2020 në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive të QKUK-së ka përfunduar me vdekje pacientja S.K. (1981) nga Komuna e Istogut, e transferuar në këtë klinikë me datë 12.04.2020 nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe njëherësh e diagnostikuar me Covid 19. E njëjta përveç Covid-19 ka pasur edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese”, ka njoftuar Instituti.
COVID-19 ia ka marrë jetën edhe një 69-vjeçari nga Suhareka. Ai ishte pranuar në Klinkën Infektive më 10 prill në gjendje të rëndë dhe kishte edhe probleme kardiake.
“Në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive, mbrëmë pas mesnatës ka ndërruar jetë pacienti 69 vjeçar nga komuna e Suharekës, i cili ishte pranuar me 10/04/2020 në gjendje të rëndë dhe i cili, përveç Covid-19, kishte edhe probleme kardiake”, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 36 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në gjithë vendin ka arritur në 423.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga data 08 shkurt deri më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.720 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.279 kontakte të rasteve. /Gazeta Express


