LAJME

Tash po hedh akuza mbi rivalët për laborator droge, por “presidenti” Thaçi kishte heshtur për arrestimin e shoferit të vëllait të tij për trafik droge

Kur kishin mbetur edhe pak orë deri në vendimin e Gjykatës së Kushtetuese mbi dekretin e “presidentit” Thaçi, ky i fundit ka ashpërsuar dhe eskaluar me diskursin e tij publik me akuza në drejtim të kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij.
Pas akuzave të “presidentit” Thaçi në një emision televiziv, ai ka vazhduar edhe sot duke i lidhur familjarët e ministres Haxhiu me laboratorët e drogës, por për dallim nga dje Thaçi ndryshoi akuzën nga familjarët e ministres tek familja politike, duke e bërë diskutabile atë që thotë.
Por derisa Thaçi sot lufton për protagonizëm dhe identifikimin e kultivuesve të drogës, një gjë të tillë nuk e bëri në vitin 2018 kur shoferi i vëllait të tij u zu më drogë.

Në dhjetor të vitit 2018 policia e Kosovës kishte arrestuar në Han të Elezit katër persona si vazhdimësi e aksionit të disa ditëve më herët kur ishin arrestuar katër persona tjerë pasi ishin kapur me 113 kg drogë në Prishtinë.

Bëhej fjalë për Enis Qerkën, shofer i Gani Thaçit, vëllai të presidentit Hashim Thaçi.
Arrestimi i shoferit të Gani Thaçit, nuk kishte nxitur asnjë reagim të presidentit, madje as që e zuri ndonjëherë në gojë një gjë të tillë.

Por heshtja e presidentit si duket nuk kishte mjaftuar, por kësaj i ishte shtuar edhe heshtja e policisë së Kosovës që për dallim nga aksioni i parë, në këtë të dytin ku u arrestua Enis Qerka nuk kishte organizuar as konferencë për media.
Për këtë rast policia kishte dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në raportin 24 orësh.

“Lidhur me rastin me date 08.12.2018 janë arrestuar edhe katër te dyshuar meshkuj K-Shqiptar dhe si prova materiale janë sekuestruar: një veturë BMË, disa telefona celular, para etj. Me urdhër te prokurorit te dyshuarit dërgohen ne mbajtje”, ka thënë policia në raporton e së dielës.

Pas akuzave të Thaçit ndaj familjarëve të Albulena Haxhiut se janë të përfshirë në laboratorin e drogës, kjo e fundit ka paralajmëruar se familjarët e saj do ta padisin presidentin për shpifje.

Në fakt deklarimet e presidentit Thaçi kanë të bëjnë me familjarët e këshilltares së Albulena Haxhiut, Nazlie Bala, përderisa presidenti ka huqur komplet në pretendimet e tij duke akuzuar familjarët e vet ministres./Veriu.info/

LEAVE A RESPONSE