Qeveria e re e Shqipërisë, në krye me Edi Ramën, për herë të tretë ka nisur zyrtarisht punën, dy ditë pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama, bashkë me kabinetin e tij të ministrave, u betuan në Presidencën e Shqipërisë, në prani të presidentit shqiptar, Ilir Meta.
Pas betimit në Presidencë, ministrat e sapozgjedhur u mblodhën në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, ku kryeministri i dha mesazhet e para ndaj tyre dhe punës që Qeveria tij e tretë e ka para vetes.
“Unë u jap një porosi, ministër nuk bëhesh vetë, të bën kryeministri, vendin nuk ta mbaj unë, duhet ta mbash vetë, kjo vlen edhe për dyshemenë. Dyshemeja e Qeverisë është ligji, kush shkel në dërrasë të kalbur, punën e ka me organet ligjzbatuese, jo me mua, as me Qeverinë, as me partinë.
Të jeni të sigurt, unë do t’ju mbështes në arritjen e objektivave të përbashkëta, do t’iu mbroj nga çdo agresion dhe kundërshtar të progresit, do t’iu ruaj edhe shpinën nga çdo erë kundër jush që mund të fryjë për shkak të detyrës. Por edhe njëherë, as mua dhe as Partinë Socialiste nuk do ta ketë pas kush do të hedhë edhe një hap jashtë ligjit”, tha Rama.
Kabineti i mandatit të tretë qeverisës të socialistëve përbëhet nga 15 ministri, nga të cilët katër ministra pa portofol. Dymbëdhjetë ministri do të drejtohen nga gratë dhe tri tjera nga burrat.
Programi i Qeverisë së re e ka drejtuar fokusin te rindërtimi pas tërmetit të vitit 2019 dhe menaxhimi i pandemisë, mirëqenia e qytetarëve; modernizimi për zhvillim të ekonomisë prodhuese, familja dhe forcimi i shtetit ligjor.
Kuvendi i ri i Shqipërisë përbëhet nga Partia Socialiste që fitoi 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim katër dhe Partia Social-Demokrate tri mandate.