LAJME

Flasin nga Dhomat e Specializuara/ Ja si është gjendja shëndetësore e Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë

Janë bërë 7 muaj që nga arrestimi i ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe shefit të Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK’së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj dhe ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Këta po mbahen në qendrën e paraburgimit nga Gjykata Speciale, shkruan Indeksonline.

Por ende nuk është dhënë ndonjë detaj se si është gjendja shëndetësore e tyre, në një përgjigje për Indeksonline, kanë thënë se objekti i paraburgimit i DHSK-së e ka mjekun e vet i cili është mjeku parësor që trajton të gjithë të paraburgosurit.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund t’ju japim ndonjë detaj mbi kushtet shëndetësore të personave në paraburgim të DHSK-së. Sidoqoftë, ne mund t’ju ofrojmë informacion mbi kujdesin shëndetësor në objektin e paraburgimit. Objekti i paraburgimit i DHSK-së e ka mjekun e vet i cili është mjeku parësor që trajton të gjithë të paraburgosurit”, thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.

Të paraburgosurit në Gjykatën Speciale mund të konsultohen me mjekë të jashtëm, si doktorë ose dentistë, që i zgjedhin vetë dhe me shpenzimet e tyre.

“Të paraburgosurit mund të kërkojnë në çdo kohë ndihmë mjekësore. Mjeku i viziton të paraburgosurit rregullisht. Ai viziton çdo ditë ata të paraburgosur të cilët janë të sëmurë ose të lënduar. Të paraburgosurit mund të konsultohen me mjekë të jashtëm, si doktorë ose dentistë, që i zgjedhin vetë dhe me shpenzimet e tyre. Në objektin e paraburgimit të paraburgosurit gëzojnë më së paku të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor që janë zakonisht të disponueshme në Holandë”./Elmedina Ballazhi/Indeksonline