LAJME

Gashi tregon arsyet e dorëheqjes nga AAK dhe nëse sërish do të garojë për Obiliqin

Xhafer Gashi, pasi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësit e tij brenda strukturës partiake si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, do të vazhdojë angazhimin e tij si kryetar i Komunës së Obiliqit.

Ai tregon se janë duke punuar në krijimin e një Liste qytetare që do të jetë garuese për zgjedhjet në nivel komunal.

“Për rrugëtimin e mëtutjeshëm tonin, jemi konsultuar mirë me gjithë strukturat prej asamblistëve dhe strukturat tjera të organizuara që kemi qenë, dhe pothuajse pjesa më e madhe kemi kaluar të pavarur për momentin. Dhe jemi duke punuar në krijimin e një liste qytetare që do të ketë konkurruese në nivel lokal dhe do të bëjmë përkujdesje që në vazhdimësi që të punojmë për komunitetin në Obiliq”, thekson Gashi, për KosovaPress.

Ai po ashtu thekson se dorëheqja e tij vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq.

Përveç kësaj ai thotë se dorëheqja vjen edhe si pasojë e mos realizimit të premtimeve të nivelit qendror për zbatimin e tërësishëm të Ligjit për Obiliqin e në veçanti në aspektin e çështjes së punësimit të qytetarëve të Obiliqit.

“Në fakt Obiliqi ka ndryshua dhe shumë punë të mira janë bërë duke falënderuar nivelin qendror në vazhdimësi gjatë shtatë vjet e gjysmë sa kam qenë unë. Mirëpo, arsyeja ka qenë çështja e punësimit në KEK. Ka qenë një nga premtimet që është dhënë në Hade dhe Shipitullë, ndërsa më pastaj ajo nuk është ndjekur deri në fund dhe kjo ka qenë si rezultat I pakënaqësive të një pjesë të madhe të strukturës, e cila pastaj ka reflektuar edhe më dorëheqje”, thekson Gashi.

I pyetur nëse arsye tjetër mund të jetë humbja e besimit në AAK-në, Gashi tregohet paksa i rezervuar.

Megjithatë falënderon Haradinajn për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë sa ka qenë kryeministër.

Teksa shton se kërkesat e domosdoshme nuk u realizuan.

“Nuk kisha thënë ashtu, e falënderoj edhe qeverinë Haradinaj dhe të gjitha qeveritë që ishin më herët dhe të gjithë aktivistët që kanë kontribuar që unë të jem aty. Por më në fund një nga kërkesat e shumë të domosdoshme, edhe të KEK-ut, edhe të qytetarëve nuk u realizuan”, thotë ai.

Kryetari aktual i Obiliqit tregon se a do të jetë sërish kandidat për të parin e Obiliqit në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.

“Kjo mbetet të shihet, sepse fillimisht duhet krijohen mekanizmat të cilat do të vendosin, këshilli drejtues dhe kryesia, pastaj të shohim. Nëse më kërkojnë një gjë të tillë, me siguri që do të konkurrojë”, thotë Gashi.

Ndërsa, në fund ka përmendur edhe punët që janë bërë në qeverisjen e tij në Obiliq për rreth 8 vjet.

“Ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, kemi kryer shumë projekte. Kemi ndërtuar ura, sheshe, po ndërtojmë gjithashtu shkolla e shtëpi kulture, biblioteka e shumë projekte të tjera të infrastrukturës rrugore. Në shëndetësi gjithashtu, mirëpo mbi të gjitha ky angazhim i yni do të vlerësohet nga vet qytetarët”, thotë ai.

Gashi që nga viti 2013 fitoi dy mandate si kryetar i Obiliqit nën ombrellën e AAK-së.