LAJME

Ish-këshilltari i Thaçit tallet me Kurtin: Njësinë Speciale e ka dërguar në veri të marrë kontingjent të vaksinave

Ish-këshilltari i Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka ironizuar me kryeministrin Kurti, pas dërgimit të Njësisë Speciale në veriun e Kosovës në mes të fushatës zgjedhore.

Behramaj ka thënë se kjo është një tendencë politike për rikthimin e barrikadave dhe për ngritjen e tensioneve ndëretnike, që Kurti ta largojë vëmendjen nga fushata zgjedhore dhe nga humbjet që po e presin.

“Albin Kurtit tashmë i janë harxhuar të gjitha rrenat politike dhe përmes skenarëve të pistë të destabilizimit, pasi lejoi të rritej importi nga Serbia për 143%, kinse në emër të reciprocitetit po mundohet ta mbajë veten në pushtet me çdo kusht”, ka shkruar Behramaj, duke ironizuar me Kurtin, se ka mundësi që Njësinë Speciale e ka dërguar të marrë edhe ndonjë kontingjent të vaksinave antiCovid.

Ky është statusi i plotë i ish-këshilltarit të Thaçit, Adil Behramajt:

Albin Kurti është duke e çmontuar Republikën e Kosovës. Pas afër 14 vjet pavarësi dhe shtensionim të raporteve ndëretnike, ai i shqetësuar për fatin e tij politik më 17 tetor po bën fushatë politike edhe me policinë. Kjo është një tendencë politike për rikthimin e barrikadave dhe për ngritjen e tensioneve ndëretnike, që ta largojë vëmendjen nga fushata zgjedhore dhe nga humbjet që po e presin.

Albin Kurtit tashmë i janë harxhuar të gjitha rrenat politike dhe përmes skenarëve të pistë të destabilizimit, pasi lejoi të rritej importi nga Serbia për 143%, kinse në emër të reciprocitetit po mundohet ta mbajë veten në pushtet me çdo kusht.

Pas dështimit që t’i shtyjë zgjedhjet, tash e shpiku këtë skenar të ri me kosto tepër të lartë për shtetin e Kosovës.

Ka mundësi që Njësinë Speciale e ka dërguar të marrë edhe ndonjë kontingjent të vaksinave antiCovid!