I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të enjten nga Brukseli se është arritur marrëveshje për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Në një letër të publikuar nga Lajçak në rrjetin social Twitter, shihet se palët janë pajtuar për tri pika kyçe:
-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, në orën 08:00 deri më 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes së zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
– Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Pune do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Që nga 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit për targat me Serbinë, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.