Ish kryeministri Sali Berisha po zhvillon betejën ndaj kreut të PD, Lulzim Basha, ku pas takimit me demokratët në Tiranë, ndalesën e radhës do ta bëjë ditën e nesërme në Fier.
Në daljet e tij publike, Berisha është shprehur se, do të kërkojë mbledhjen e një kuvendi për të proceduar vendimin personal të kreut të PD, Lulzim Basha, për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD.
E ftuar në emisionin “Now” me eksperten e komunikimit Erla Mëhilli, ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka komentuar këto lëvizje të Berishës, duke thënë se kryetari i PD, Lulzim Basha do të largohet më shpejt seç mendohet.
Gjithashtu theksoi se Basha do të largohet pasi ka probleme të mëdha dhe nuk është në gjendje të bëjë transparencë për pasurinë e tij.
“Unë jam e sigurt që Basha do ikë shumë shpejt, më shpejt seç e mendonit. Është vunerabël, është me probleme të madhe. Ka rrugë të brendshme për ta larguar. Nuk është në gjendje të bëjë transparencë për pasurinë e tij. Vjen një moment kur derdhet gota dhe dalin të vërtetat”, ka deklaruar Topalli./ CNA.al