“Po mbështesin grupet krìmìnale”, Albin Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Mos i mbyllni sytë para regjimit serb
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se grupet kr iminale në veri të Kosovës po përkrahen dhe nxiten nga Serbia, teksa iu ka kërkuar ndërkombëtarëve që të mos të mbyllin sytë përballë këtij regjimi autokrat serb. Këto deklarata Kurti i bëri nga Shkupi, ku po merr pjesë në Forumin Socio-ekologjik.
“Është për të ardhur keq që grupe kr iminale në veri të Ibrit, gjithnjë të ditura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucionet e shtetit të Kosovës.
Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj, edhe qytetarët pa dallim etnie atje janë dëshmuar për qetësinë dhe durimin e tyre. Andaj, unë iu bëj thirrje të gjithë atyre që të vazhdojnë kësisoj.
Bashkësia ndërkombëtare të mos i mbyllë sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta kundërshtojnë dhe luftojnë shtetin tonë. Pikat kufitare 1 dhe 31 janë me policë kufitarë, ndërkaq Njësia Speciale atje është për t’i mbrojtur ato”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera Kurti ka arsyetuar praninë e Njësisë Speciale në veri, duke thënë se sulmet në Zubin Potok dhe Zveçan janë dëshmi se ç’ka do të ndodhte në pikat kufitare 1 dhe 31 po të mos ishte Policia e Kosovës, e cila është aty për ruajtjen e rendit.
“Zjarrvëniet e qëllimshme që kanë ndodhur pak pas mesnate janë dëshmi se çka do t’iu ndodhte pikave kufitare 1 dhe 31 nëse aty nuk do të ishin pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Bllokimi i rrugëve nuk po ndodh nga policia jonë, as qarkullimi i lirë i lëvizjes nuk pengohet nga policia jonë, përkundrazi”, ka shtuar Kurti.