LAJME

Te VV-ja besojnë se është çështje ditësh kur Osmani do të zgjidhet presidente e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron si çështje ditësh zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente të Kosovës.

Te partia që kryeson Qeverinë e re të Kosovës nuk presin që të ketë probleme në çështjen e zgjedhjes së presidentes, ndërsa thonë se janë kategorik se presidente duhet të jetë Vjosa Osmani.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani thotë për KosovaPress se janë duke u angazhuar që sa më shpejtë të përmbyllët edhe procesi i zgjedhjes së presidentit. Ai thotë se në bazë të vullnetit qytetarë, edhe deputetët e partive tjera opozitare duhet të qëndrojnë në sallë për votimin e presidentit.

“Në Lëvizjen veçse jemi duke u angazhuar dhe punuar që sa më shpejtë të përmbyllet edhe zgjedhja e presidentit. Ne si subjekt edhe bashkë me deputetë të tjerë që bashkë qeverisim i kemi mbi 60 vota për presidentin. Natyrisht duke i parë rrethanat shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë që të zgjidhet Vjosa Osmani presidente dhe po shpresojmë që edhe deputetët e subjekteve tjera të kryejnë detyrën e tyre dhe qëndrimin në sallë, varësisht prej vullnetit që e kanë për votim kundër apo për. Krejt çka po kërkohet është që vijmë në sallë dhe ta kryejmë procesin për çka jemi të thirrur dhe kemi marrë mandatin nga populli. Kështu që, unë nuk shoh ndonjë pengesë në këtë drejtim dhe besoj se kjo do të jetë çështje ditësh kur do të ndodh”, deklaroi Rrahmani.

Deputeti i mazhorancës i sheh të nevojshme dhe të shëndosha edhe takimet e Osmanit me partitë opozitare për të arritur një konsensus rreth figurës së saj për presidente.

“Roli i presidentit është edhe unifikimi i gjithë spektrit politikë, andaj edhe takime të tilla mund të ketë dhe mund të jetë të shëndosha. Mirëpo ato mbesin në vullnetin dhe si e shoh presidentja Vjosa Osmani”, thotë ai.

Lidhur me zgjedhjet e mundshme të reja, deputeti i Vetëvendosjes po i përjashton si mundësi.

“Kjo është ajo që ne kemi paraqitur edhe në fushatë edhe pas fushatës. Kjo është kërkesë e qytetarëve dhe vendi duhet të frymojë ashtu siç kërkon qytetari dhe jo të veprohet për inate politike, apo çështje të tjera. Unë jam i bindur se nuk do të ketë nevojë për zgjedhje të reja, por do të kemi presidente të re shumë shpejtë… ka nevojë për kompromise për shkak që shumica e votave janë në Kuvend për të zgjedh Vjosa Osmanin presidente, andaj edhe nuk mendoj të kemi kompromise”, thotë ai.