LAJME

Gërvalla: Krenare për luftën e UÇK-së, mbrojtën popullin dhe shtëpitë e tyre

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, po shqyrtohet raporti i rregullt gjashtëmujor për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla në adresimin e saj në Këshillin e Sigurimit ka thënë se është zhgënjyese që Serbia ende nuk po distancohet nga krimet e kryera në Ballkan në të kaluarën.

Ajo ka thënë se kur përfaqësuesi i Rusisë hedh akuza ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, i kujtohen akuzat që sot Rusia po bënë ndaj ushtarëve të Ukrainës që po e mbrojnë vendin e tyre.

“Ushtarët trima të UÇK-së kanë mbrojtur popullin e tyre. Unë jam krenare me ata ushtarë kanë mbrojtur shtëpitë e tyre. Nuk do të isha fare krenare të përfaqësoja vendet tuaja, natyrisht ju vendosni si do të përfaqësoni vendet tuaja”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Gërvalla thotë se përfaqësuesi i Serbisë po mashtron kur po thotë se rrezikohen pakicat në Kosovë.

“Me këso fabrikime në të kaluarën kanë filluar luftëra…Kujtojmë rastin “Panda” në Pejë, ku vite e vite me radhë pretendohej se ushtarët e UÇK-së kishin vrarë serbët e Kosovës, e tashmë vet gazetat serbe kanë shkruar se rasti ishte bërë nga vet serbët”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës ka kujtuar edhe deklaratat e Dick Martyt se Serbia kishte planifikuar vrasjen e tij, për t’ua faturuar më pas shqiptarëve atë.