Nga Marc PIERINI
Analistët dhe mediat e huaja kanë ngritur prej kohësh pyetjen “Ku po shkon Turqia?”. Tani, ndërsa vendi po futet në vitin e 19-të të sundimit të pandërprerë nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), kjo pyetje retorike është shndërruar në një debat të madh të brendshëm mbi të ardhmen e Turqisë. Në fakt kursi i Turqisë varet nga votat e qytetarëve të saj, dhe jo nga ajo që mendojnë apo dëshirojnë analistët e huaj. Megjithatë, duke u angazhuar në nisma të pashembullta ushtarake dhe diplomatike në vitet 2019-2021, udhëheqja e këtij vendi është subjekt i reagimeve dhe kritikave të forta nga partnerët e saj. Nga ana tjetër, këto reagime nxisin deklarata nacionaliste në të gjithë spektrin politik turk, duke e bërë disi të rrezikshme çdo spekulim mbi të ardhmen politike të Turqisë. Brenda vendit, arkitektura e shtetit ligjor është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë 10 viteve fundit. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2021 mbi Turqinë, i bërë publik më 19 tetor, ishte më negativi i shkruar ndonjëherë, duke e theksuar vazhdimin e degradimit të demokracisë. Meqë këtë prirje nuk e ka përcaktuar asnjë ngjarje e vetme, mund të identifikohen disa pika kthese.
SË PARI, viti 2013 ishte një vit vendimtar. Protestat e qytetarëve e në Parkun Gezi në Stamboll që nisën në majin e atij viti, ishin fillimisht kundër planit të qeverisë për të zhdukur një park publik. Por ato u shndërruan shpejt në një valë të paprecedentë demonstratash masive në të gjithë vendin.
Ato mbeten ende sot lëvizja më e madhe e protestës kundër qeverisë turke. Disa muaj më vonë, një skandal korrupsioni çoi në arrestimin e dhjetëra personave të lidhur me AKP-në. Duke besuar se këto arrestime ishin një sulm politik i orkestruar nga predikuesi islamik Fethullah Gulen, që deri atëherë ishte aleati i tij politik, kryeministri i atëhershëm Recep Tayyip Erdogan urdhëroi një sërë spastrimesh. Organizata ndërkombëtare “Freedom House”, vlerësoi se u pushuan nga puna 45.000 oficerë policie dhe 2.500 gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në hetimet anti-korrupsion. Që nga viti 2013, procesi i degradimit të demokracisë turke, ka ecur paralelisht me momentet elektorale kyçe. Në prag të zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2014, 2 raundeve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2015, referendumit kushtetues të prillit 2017, dhe zgjedhjeve presidenciale të qershorit 2018, ndodhën këto zhvillime:u kufizuan të drejtat e opozitës; u përdor një narrativë gjithnjë e më nacionaliste për të mbledhur vendin rreth flamurit dhe udhëheqjes; u braktis procesi i pajtimit me minoritetin kurd; u përdorën operacionet ushtarake në Siri për të lëkundur opinionin publik, për të forcuar gjendjen shpirtërore të vendit, dhe për të dobësuar kundërshtarët politikë.
Grusht i dështuar i shtetit i korrikut 2016, shënoi një tjetër pikë kthese. Ai i dha Erdoganit jo vetëm mundësinë për t’i dhënë fund ndikimit politik të ushtrisë, por solli spastrime gjithëpërfshirëse kundër armiqve të supozuar të qeverisë. Që nga ai moment, autoritetet kanë shkarkuar ose pezulluar nga detyra shumë se 60.000 punonjës në polici dhe ushtri, dhe rreth 125.000 nëpunës civilë.