LAJME

Kurti flet për aksidentin e autobusit me mërgimtarë në Serbi, ja çfarë thotë

Kryeministri Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se të gjithë të lënduarit nga aksidenti i autobusit me mërgimtarë nga Kosova në Serbi janë jashtë rrezikut për jetë.

“Sipas informatave, fatmirësisht të gjithë udhëtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë. Është koha e kthimit të mërgatës sonë drejt vendeve ku ata jetojnë dhe punojnë. Shpirtërisht jemi me ta, derisa ata kalojnë mijëra kilometra këto kohë të acarta të dimrit”, tha ai.

Kreu i Ekzekutivit u uroi shërim të shpejtë të lënduarve.

“Sakrifica, kontributi, mundi i tyre për të qëndruar sa më afër familjarëve në Kosovë është për t’u admiruar. Urojmë që udhëtimet e tyre të jenë sa më të lehta e më të sigurta dhe u urojmë urim sa më të shpejtë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se institucionet e vendit janë në kontakt të vazhdueshëm dhe se po bëjnë “gjithçka dhe çdo gjë që është e mundur për t’u dalur në ndihmë të lëndurve”.