Adrian dhe Anjeza Hyseni vetëm dy ditë më parë humbën në një aksident tragjik në Reggio Emilia të Italisë tre fëmijët dhe nipin e tyre.
Mediat italiane të cilat kanë ndjekur nga afër ngjarjen shkruajnë se të bërtituarat e nënës u dëgjuan në të gjithë morgun.
Familja Hyseni ka përpara syve katër arkivole të bardha, të gjitha të rreshtuara në një dhomë në morgun Coviolo. Brenda tyre prehet 22-vjeçarja Shane me djalin e saj 2-vjeç Mattias, si dhe vëllai e motra e saj Resat dhe Rejana, të moshave 11 dhe 9-vjeç.
Jashtë morgut ndodhen anëtarët e familjes Hyseni.
Siç raportojnë mediat e huaja nëna e Shanes dëgjohet duke bërtitur në shqip: Nuk jetoj më kështu. Dy ditë më parë ajo ishte e shtruar në spital pasi u sëmur pas lajmit për vdekjen e fëmijëve dhe nipit.
Të martën në mëngjes kërkoi largimin nga spitali për të qenë në morg dhe për të përqafuar dhe një herë të vegjëlit e saj. E tronditur nga ngjarja, e ëma nuk mund të ngrihet dot në këmbë, por për të nuk ka paqe.
Anjeza ka zbritur nga makina dhe ka vrapuar përgjatë një rruge të brendshme në varreza dhe është hedhur drejt një makine, e cila fatmirësisht nuk ishte duke lëvizur.
Të afërmit janë përpjekur ta qetësojnë por ka qenë e pamundur dhe është dashur ndërhyrja e personelit mjekësor.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Ardiani përpiqet të jetë më i fortë dhe mundohet të qetësojë gruan e tij.
Trupat e pajetë të tyre do të qëndrojnë në Coviolo deri në nisjen e tyre për në Durrës, Shqipëri.
Mediat e huaja shkruajnë se do të duhen edhe disa ditë për të përfunduar dokumentacionin, por fluturimi për riatdhesim me ndihmën e ambasadës shqiptare pritet mes mbrëmjes së sotme dhe nesër. Deri në atë kohë trupat e Shane, Mattias, Resat dhe Rejanës do të jenë nën mbikëqyrjen e familjes.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, teksa bashkëshorti i Shanes humbi kontrollin e makinës duke u përplasur me një banesë. Ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.