Fetë hyjnore kanë qenë dhe janë burim i mirësisë dhe paqes. Feja nuk duron urrejtje të njerëzve, ajo është vetëm faktor për afrimin e tyre
Nga H. Sulejman ef. Rexhepi
Të nderuar vëllezër myslimanë!
“Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Zotit qofshin me ju”.
Erdhi momenti i ndarjes nga miku ynë i dashur, erdhi momenti që të përcjellim edhe një Ramazan, të përcjellim muajin e përpjekjeve tona për pastrim shpirtëror duke bërë ibadetet të shumta që madhërojnë Allahun xh.sh. Me një fjalë, u përpoqëm që ta arrijmë atë që e thotë ajeti: “Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet”.
Të nderuar besimtarë, ndarja nga Muaji i bekuar i Ramazani Sherifit dhe festimi i Bajramit paraqesin momentin kur ndjehemi edhe të pikëlluar edhe të gëzuar! Jemi të pikëlluar ngase ndahemi nga Muaji i bekuar, muaji në të cilin u shpall Kur’ani famëlartë, muaji në të cilën u trasua rruga hyjnore – feja islame. Por, jo vetëm kaq! Ramazani është muaj i fitoreve të shumta që sollën dobi jo vetëm për ne myslimanët por për tërë njerëzimin në përgjithësi. Andaj, pikëllimi ynë, lotët që mund të vërehen në çastet e përcjelljes së Ramazanit, dalin nga thellësia e zemrës sonë, dalin nga shpirti ynë, sepse në kujtesë e kemi thënien e Muhamedit a.s.: “Sikur pasardhësit e mi ta dinë vlerën e Ramazanit, do të dëshironin që i tërë viti të jetë ramazan”.
Por, edhe gëzimi ynë në këto çaste plotësisht është i arsyeshëm. Themi kështu ngase me ibadetet e bëra gjatë Ramazanit, e sidomos me agjërimin, kemi arritur që t’i mposhtim veset tona të këqia dhe të rrezikshme, prej të cilave sot po lëngojnë shumë shoqëri. Pra, kemi arritur që ta mposhtim egoizmin, epshin, zilinë, koprracinë etj., gjë e cila e arsyeton harenë tonë dhe lotët e gëzimit gjatë kësaj feste të Bajramit. Kjo vërtet është një krenari e madhe për ne.
Gjithësesi nga Ramazani ndahemi më të fuqishëm moralisht, më të bindur dhe më të ngritur në vetëdije. Kjo na bënë më të fortë dhe më të qëndrueshëm në rrugën e amanetit të pranuar nga ana e Allahut xh.sh., amanet ky që paraqet pikëbashkimin e dy komponenteve: besimin dhe veprat e mira.
Besimtarë të nderuar, me që jetojmë në një ambient të pluralizmit politik, duhet potencuar për ata që fenë e keqpërdorin për interesat e veta dhe për ideale krejtësisht të gabuara, se feja, e sidomos fetë hyjnore, kanë qenë dhe janë burim i mirësisë dhe paqes. Kurrsesi nuk duhet lejuar që ajo të përdoret për kusuritje të ndryshme, qofshin të sferës poltike apo nacionale. Feja nuk duron urrejtje të njerëzve, ajo është vetëm faktor për afrimin e tyre. Vetëm kështu duhet kuptuar roli i fesë, nëse dëshirojmë të krijojmë një ardhmëri më të lumtur për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përcaktimet e tyre fetare dhe nacionale. Kjo gjithësesi vlenë edhe për nënqiellin tonë multinacional dhe multikonfesional.
Të nderuar vëllezër myslimanë, duke u nisur nga ajo që u tha më lartë, gëzimin tonë gjatë ditëve të Bajramit, përveçse me më të afërmit tanë duhet ta ndajmë me të gjithë ata me të cilët jetojmë bashkë.
Duhet theksuar hadithin e Muhamedit a.s. i cili për ditën e Bajramit thotë: “Në ditën e Fitër Bajramit engjëjt qëndrojnë në çdo skaj të rrugës dhe thërrasin: “O besimtarë, shpejtoni te Zoti i juaj Fisnik, sepse Ai ofron të mirat e Tij të pakufishme, shpërblenë me dhurata më të mira. Për shkak se ju urdhëroi për falje gjatë natës e ju atë e bëtë, ju urdhëroi të agjëroni ditën, e ju këtë e bëtë. E respektuat Zotin tuaj, andaj pranoni dhuratat e juaja. Pas përfundimit të namazit të Bajramit, një thirrës thërret: “Zoti i juaj ua fali gabimet, andaj kthehuni të gëzuar në familjet e juaja, sepse kjo është ditë e dhuratave, gjithashtu kjo ditë edhe në qiej konsiderohet ditë e shpërblimeve”.
Me dëshirë që këtë Bajram ta përjetojmë në një ambient vërtet festiv, së pari në veten tonë, në gjirin familjar, të gjithë besimtarëve u dëshiroj gëzim dhe suksese.
Esselamu alejkum!