LAJME

PARLAMENTI EVROPIAN ME LAJM TË MADH PËR KOSOVËN, FLITET PËR VIZAT DHE NEGOCIATAT

Parlamenti Evropian me njё rezolutё tё miratuar kёrkon sёrish heqjen sa mё tё shpejtё tё regjimit tё vizave pёr qytetarët e Kosovёs, ndёrsa pёrshёndёt aplikimin e vendit pёr status kandidati nё Bashkimin Evropian.

Mbështetet arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, përmes njohjes së ndërsjellë, ndёrsa nё tekst thuhet edhe se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Njёkohёsisht kёrkohet nga pesëshja e mbetur evropiane qё tё njohё pavarёsinё e Kosovёs.

Kёto janё pjesё tё rezolutёs për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, e cila ёshtё miratuar nё seancёn plenare tё mbajtur nё Strazburg.

Fokus i kёsaj rezolutё ёshtё kёrcёnimi qё paraqet agresioni rus ndaj Ukrainёs nё politikёn e BE-sё.

Pjesё e konsiderueshme e rezolutёs i kushtohet ndikimit qё ka Rusia nё shtetet e Ballkanin Perëndimor. Pёrmendet nё kёtё rrafsh ndikimi negativ rus nё rajon qё ka pёr synim destabilizimin e Ballkanit Perendimor. Bёhet thirrje njёkohёsisht që të parandalohet ky ndikim.

Në kёtё rrafsh i bëhet thirrje Serbisё qё që të respektojë vlerat evropiane dhe të përshtatë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian ndёrsa nga BE kёrkohet qё mos të vazhdojë me procesin e negociatave tё anёtarёsimit pёrderisa Serbia nuk vendosur sanksione ndaj Rusisё.

Me anё tё Rezolutёs sё miratuar eurodeputetët gjithashtu i bёjnё thirrje BE-sё qё tё vendos sanksione ndaj presidentit tё entitetit serb nё Bosnjё e Hercegovinё, Milorad Dodik pёr shkak tё, siç thuhet, veprimeve që rrezikojnë unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjёs.

Rezoluta e Parlamentit Evropian ёshtё miratuar me 407 vota pro, 92 vota kundёr dhe 142 abstenime.

Ndonёse kanё simblikё politike, rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janё ligjërisht obliguese pёr institucionet e BE-së e as pёr vendet anëtare.