LAJME

Rama: Kurti Kosovës, dëm më shumë se Serbia

“Nuk patëm kurrë një përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës për takimin me Albin Kurtin”, kjo është ajo çfarë deklaroi Kryeministri Shqiptar Edi Rama në një intervistë për Klan Kosova mbrëmjen e të enjtes teksa refuzoi të komentonte më tej vendimin e Kryeministrit të Kosovës për të mos u takuar.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka insistuar prej kohësh që të takohet me Albin Kurti për të diskutuar mbi samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Shqipëri, pasi sipas Rames ky samit është i një rëndësie të madhe për Kosovën.

Kryeministri Shqiptar u shpreh se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos dëgjuar Partnerët ndërkombëtar i ka bërë vendit atë që Serbia nuk ia bëri dot Kosovës për 20 vite.

Edi Rama foli edhe mbi anulimin e mbledhjes mes dy qeverive dhe tha i kishte kërkuar Albin Kurtit disa ditë përpara që të takoheshin sepse duhet të flisnin.

Rama deklaroi se i kërkoi Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian Josep Borrell që të mbante pezull masat ndaj Kosovës pasi ai do të mundohej të fliste me Albin Kurtin.

Rama deklaroi se anulimi i mbledhjes erdhi pasi Shqipëria nuk mund të sillej sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Edi Rama deklaroi se nuk ka asgjë personale me Albin Kurtin, pavarësisht mendimeve të tyre që nuk përputhen.

Kreu i qeverisë shqiptare e quajti homologun e tij tejet marksist por edhe atraktiv.

Rama deklaroi se diskutimet me Albin Kurtin i bën në Whatsapp pavarësisht se ai nuk përgjigjet, ndërsa tha se të flasësh me të është si të flasësh me televizorin.