Irani ka nisur sulmin me raketa mbi Izrael mbrëmjen e 1 tetorit. Ushtria izraelite ka thënë se sulmi po vazhdon, ndërsa Irani ka thënë se po sulmon me raketa balistike…
Ushtria izraelite të martën në një deklaratë ka thënë se Irani ka lansuar raketa drejt Izraelit, raporton BBC. Më vonë e ka konfirmuar edhe Irani.
Sipas deklaratës, sirenat për sulmin ajror janë lëshuar në tërë Izraelin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kanë thënë se Irani është duke përgatitur sulm ajror ndaj Izraelit.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) u kanë bërë thirrje izraelitëve që “të qëndrojnë vigjilent dhe të ndjekin saktësisht udhëzimet e komandës së frontit të brendshëm”.
“Me të dëgjuar një sirenë, duhet të hyni në një hapësirë të mbrojtur dhe të qëndroni atje deri në njoftimin e dytë”, thuhet në paralajmërimin e lëshuar nga IDF-ja.
Ushtria e Izraelit ka thënë se sulmi i Iranit po vazhdon.
“Kërkoheni të qëndroni në hapësira të sigurta deri në njoftimin e radhës”, thuhet në një njoftim të saj duke shtuar sqarimin se shpërthimet që po dëgjohen janë nga raketat që po pengohen në ajër nga Izraeli.