Avokati Arianit Koci ka thënë se duhet të krijohet Gjykatë Speciale në Kosovë për krimet serbe që kanë kryer ndaj kosovarëve, shkruan Gazeta Metro.
Koci ka thënë se për krime në Kosovë – gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, nuk ka as për së afërmi serb të dënuar. Ai ka kujtuar se ideatorët e krimeve të tmerrshme të Serbisë në Bosnjë tashmë janë dënuar.
“Gjykata e shkallës së parë e Tribunalit të Hagës në vitin 2017, Mladićin e ka dënuar përveç për gjenocid në Srebernicë, edhe për krime kundër njerëzimit në 15 komuna të Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka shkruar Koci në Facebook.
Ky është shkrimi i plotë:
Krimet e shtetit serb. Krimineli i luftës Ratko Mladić, dje në Hagë, ka prezantuar para gjykatës ku është shqyrtuar ankesa e tij.
Përndryshe, Mladić është i dënuar me burgim të përjetshëm.
Komandanti i Ushtrisë Serbe në Republikën Serbe (1992 – 1995), është përgjegjës për për katër ndërmarrje të përbashkëta kriminale.
Në kuadër të tyre për:
-Gjenocidin e kryer në Srebernicë ndaj 8000 meshkujve;
-Terrorizmin e qytetarëve të Sarajevës, gjatë bllokimit të këtij qyteti;
-Dëbimin dhe kryerjen e krimeve ndaj Boshnjakëve dhe Kroatëve të Bosnjës;
– Planifikimin e kidnapimit të ushtarëve të Kombëve të Bashkuara, të cilet është dashur të shërbejnë si mburojë dhe sigurim që NATO nuk do t’i sulmoj caqet serbe në Bosnje.
Gjykata e shkallës së parë e Tribunalit të Hagës në vitin 2017, Mladićin e ka dënuar përveç për gjenocid në Srebernicë, edhe për krime kundër njerëzimit në 15 komuna të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Partneri i tij në krim, Radovan Karadžić është dënuar poashtu me burgim të përjetshëm, ndërsa kolegu tjetër i tij, Slobodan Milošević ka vdekur në qendrën e paraburgimit në Hagë në vitin 2006.
Sidoqoftë, për krime në Kosovë – gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, nuk ka as për së afërmi serb të dënuar.
Prandaj, duhet të krijohet një Gjykatë Speciale për krimet e shtetit serb në Kosovë./gazetametro.net

