Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron çështje ditësh zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente të vendit.
Në partinë e Albin Kurtin nuk po presin probleme në konstituimin edhe të institucionit më të lartë të vendit. Ndërkohë, janë kategorik kundër një kompromisi të mundshëm për zgjedhjen e presidentit, jashtë emrit të Vjosa Osmanit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani thotë për KosovaPress se janë duke u angazhuar që sa më shpejtë të përmbyllët edhe procesi i zgjedhjes së presidentit. Ai thotë se në bazë të vullnetit qytetarë, edhe deputetët e partive tjera opozitare duhet të qëndrojnë në sallë për votimin e presidentit.
“Në Lëvizjen veçse jemi duke u angazhuar dhe punuar që sa më shpejtë të përmbyllet edhe zgjedhja e presidentit. Ne si subjekt edhe bashkë me deputetë të tjerë që bashkë qeverisim i kemi mbi 60 vota për presidentin…Natyrisht duke i parë rrethanat shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë që të zgjidhet presidente, Vjosa Osmani dhe po shpresojmë që edhe deputetët e subjekteve tjera të kryejnë detyrën e tyre dhe qëndrimin në sallë, varësisht prej vullnetit që e kanë për votim kundër apo për. Krejt çka po kërkohet është që vijmë në sallë dhe ta kryejmë procesin për çka jemi të thirrur dhe kemi marrë mandatin nga populli. Kështu që, unë nuk shoh ndonjë pengesë në këtë drejtim dhe besoj se kjo do të jetë çështje ditësh kur do të ndodh”, deklaron Rrahmani.
Deputeti i mazhorancës i sheh të nevojshme dhe të shëndosha edhe takimet e Osmanit me partitë opozitare për të arritur një konsensus rreth figurës së saj për presidente.