Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk po arrin asesi të gjej “paqe” që nga koha që kreu i LVV-së është kryeministër i vendit.
Haradinaj vazhdimisht me deklaratat e tij po mundohet të tërheq vëmendjen e opinonit publik por që të kryeministrit Kurti, asesi.
Ai së fundmi u shpreh që do të përkrahte një mocion të mundshëm për rrëzimin e qeverisë Kurti, duke e akuzuar se vendi po braktiset nga të rinjtë, pasi nuk po ofron shpresë.
Në lidhje me këtë analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, thotë që tashmë deklaratat e Haradinajt nuk mund të merren serioze, pasi vazhdimisht kemi të bëjmë me deklarata të paqëndrueshme.
“Deklaratat e rrufeshme të Ramush Haradinajt kanë marrë konotacion aq të pa qëndrueshëm dhe domethënie tërësisht jo serioze , sa që sot është bërë shumë vështirë të kuptohet, se kur vërtet prononcimet e z. Haradinaj mund të merren njëmend dhe kur duhet shikuar ato si humor të radhës, nga ç`ekuilibrimi i disponimit të tij, që kohëve të fundit, shihet ka pësuar luhatje të mëdha”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thotë se AAK ka qenë në qeverisje më shumë se 13 vite dhe Haradinaj ka harruar që nuk ka ndërmerr asnjë vendim për qytetarët që tash të “sulmoj” Kurtin.
“Por ajo që habitë opinionin dhe të gjithë qytetarët e vendit, është se si harroi kaq papritur kryetari i AAK-së, të përmend faktin e dhembshëm, që vetëm gjatë qeverisjeve mbi 13 vjeçare nga partitë e inkriminuara, shumë ushtar të UÇK,-së, të lënë në duar të fatit dhe pa asnjë mbështetje ekonomike e financiare, janë detyruar, jo një e dy, por disa sish, të ndërmarrin vendimin më të rëndë, duke i marrë jetën vetes me vetëvrasje”, thotë Qarri.
Nga ana tjetër ai shton se për këto arsye është e vështirë të kuptohen deklaratat e tij.
“Prandaj është shumë e vështirë të kuptohet se për cilat arsye mund dhe do duhej të bëhej pikërisht në këto momente mocion-kundërqeveritar, kur sapo ka filluar shpalimi i lëmshit të krimit të organizuar, i cili edhe ashtu ,në mungesë të votave, është i predispozuar të dështojë”, thotë analisti Qarri.
Sikleti i Haradinajt?
Sipas Qarrit, Haradinajn e ka kapluar sikleti që do të zbulohet veprat e tij të rënda duke përfshirë këtu rastin e Brezovicës që sipas analistit këtu janë përfshirë ligjet e shteti serb.
“Apo ndoshta Ramush Haradinaj ka rënë në sikletin e madh të zbardhjes së involvimit të tyre, në vepra të rënda të kundërligjshme, si në rastin e Brezovicës, ku dolën edhe njëherë emrat e tyre, për involvime në krim të organizuar dhe ndërtimin e kundërligshëm me lejet e organeve paralele të Serbisë, ku implikohen edhe ligjet e shtetit serb të Aleksandër Vuçiqit, duke shkatërruar kështu me vetëdije, parkun kombëtar të Brezovicës, i cili në fakt, ishte i mbrojtur me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha në bisedë e sipër analisti.
Ndër të tjera ai thotë që hetimet e vazhdueshme do të zbulojnë që opozita në bashkëpunim me Listën Serbe kanë kryer shumë krime në vend.
“Siç duket, opozitë e inkriminuar, në bashkëpunim me Listën serbe, nuk ka shkatërruar vetëm parkun kombëtar në Brezovicë, por hetimet e mëtejme dhe aksionet e ardhshme për rivendosjen e rendit e të ligjit në vend, këta njerëz që për dy dekada kanë sunduar në mënyrë arbitrare gjithë vendin, mund ti gjejë të përfshirë”, u shpreh Qarri për “Bota sot”.