Në mesin e komunave me zero të infektuar nga Covid19 është edhe Komuna e Studeniçanit.
Kryetari i kësaj komune, Azem Sadiki në prononcim për KOHA thotë se kjo komune që në fillim të pandemisë e ka formuar Shtabin e krizës në të cilin ka edhe përfaqësues nga policia.
“Përpjekjet tona janë që tu përmbahemi maksimalisht rekomandimeve nga Shtabi Qendrorë i krizës. Fatmirësisht deri tani nuk kemi të regjistruar rast me virusin, dhashë Zoti që kështu të ngelë. Që në fillim kemi filluar me dezinfektimin e objekteve dhe hapësirave publike, objektin e komunës, shkollat, xhamit si dhe rrugët dhe hapësirat ku më së shumti qarkullojnë qytetarët. Bashkëpunimi me policinë është në nivel, në fillim kemi pas koordinim të mirë kur ishin rastet e izolimit të qytetarëve që vinin nga jashtë duke i kontrolluar për çdo ditë dhe kjo me siguri ka pas sukses për mospërhapjen e epidemisë”, deklaroi Sadiki.
Ai iu bënë apel qytetarëve të Komunës së Studeniçanit, që t’u përmbahen edhe në të ardhmen rekomandimeve dhe sa më shumë t’u shmangemi lëvizjeve, që ta kalojmë sa me më pak pasoja këtë epidemi.


