Arkeologu i njohur Neritan Ceka ngre tri teza interesante për ilirët dhe qytetërimin e tyre. A ka ekzistuar ky qytetërim para grekëve apo romakëve.
Në intrevistën për Report Tv, duke iu referuar kërkimeve arkeologjike, Ceka zbulon se qytetet ilire e kanë nisur jetën aktive para se të vinin në rajonet e Ilirisë helenët dhe romakët.“Qyteti është trajtuar që herët në literaturën arkeologjike mbi Ilirinë e Jugut, por ai përfshihej gjithmonë në sferën e qytetërimit grek apo të ndikimit të tij. Mendimi arkeologjik shqiptar ka njohur një evolucion të vazhdueshëm gjatë trajtimit të problemeve që lidhen me rrugën e urbanizimit të Ilirisë. Që në gjurmimet e para, gjeneza e qyteteve ilire është vështruar në këndvështrime të ndryshme. Disa e kanë parë të lidhur ngushtë me ndikimin e kolonive helene të bregdetit. Ndërsa të tjerë e kanë trajtuar si nje fenomen autokton, i lidhur me zhvillimin vendas, që nga vendbanimet e periudhës së parë të hekurit”, rrëfen ai.
Tezat e prof.dr. Cekës janë publikuar tashmë në librin “Në fillimet e qytetit ilir” i botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Studimi monografik i arkeologut 70-vjeçar Neritan Ceka lidhet me rezultatet e gërmimeve nëpër qytetet ilire që përfshijnë një terren të gjerë të Ilirisë së Jugut.Ky libër përbën një studim monografik mbi një temë, që në pamje të parë duket mjaft e trajtuar në studimet arkeologjike. Por kur njihesh me përmbajtjen themelore të punimit, kuptohet se autori, pasi i ka njohur mirë të dhënat e autorëve antikë, pasi ka gërmuar në qytete ilire dhe pasi ka gjurmuar me një vëmendje jo të zakonëshme një terren të gjerë të Ilirisë së Jugut, depërton me një këndvështrim të ri për kohën, duke rrokur problematikën e lindjes së qytetit ilir.