Bislimi iu shpreh ngushëllime familjes dhe kolegëve të oficerit doganor që vdiq si pasojë e komplikimeve nga COVID 19
Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi ka ngushëlluar familjen e oficerit doganor nga Komuna e Prizrenit që sot ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve nga COVID 19, raporton Express.
Bislimi ka shkruar në Facebook se Doganat e Kosovës që nga dita e parë e masave kufizuese në përballje me pandeminë COVID 19, kanë qenë në linjë të parë të frontit duke u ekspozuar mbiproporcionalisht ndaj rrezikut për infektim.
“Falë angazhimit maksimal të zyrtarëve tanë doganor, si transporti ndërkombëtar i mallrave ashtu edhe i njerëzve është zhvilluar pa pengesa të mëdha.
Pjesë e këtij angazhimi ka qenë edhe z. Kujtim Qafleshi, me detyrë në pikëkalimin kufitarë në Vërmicë. Dy javë më parë, Kujtimi u testua pozitivisht me COVID 19. Sot me pikëllim të madh më duhet të ju informoj që z. Qafleshi nuk arriti ti mbijetoj infeksionit.
Vdekja e Kujtimit është humbje shumë e madhe për familjen e tij, por njëkohësisht edhe për gjithë Doganat e Kosovës. Kosova sot e humbi një punëtorë të mirë dhe një ekspert të shkencave ekonomike dhe një auditor të vlefshëm”, ka shkruar Bislimi, derisa u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve e kolegëve të të ndjerit./Express/