I nominuari për kryeministër, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se të mërkurën do ta bëjë të ditur përbërjen e kabinetit qeveritar.
Hoti së bashku me kreun e partisë, Isa Mustafa, kanë takuar në objektet e Kuvendit, kreun e Nismës, Fatmir Limaj, dhe më pas përfaqësues të Listës Serbe.
Por, njëjtë sikur Isa Mustafa kur ishte zgjedhur kryeministër, edhe Avdullah Hoti pritet të mos e votojnë deputetë të partisë së tij.
Gjatë paradites, Hoti e Mustafa takuan në selinë e partisë deputetët e Grupit parlamentar të LDK-së.
Por, aty munguan kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe deputeti Haxhi Avdyli, të cilët janë shprehur kundër formimit të Qeverisë me AAK-në e Nismën.
Shefi i deputetëve, Arben Gashi, ka thënë se pas marrëveshjes së koalicionit do të thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.
Gashi ka pranuar se me Listën Serbe janë pajtuar që të jenë pjesë e Qeverisë dhe se pritet të kenë edhe post të zëvendëskryeministrit.
Deputeti Fatmir Rexhepi, që ka qenë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, ka dhënë sinjale se do ta votojë Qeverinë e re.
LDK-ja thotë se pjesë e Qeverisë do të jetë edhe Aleanca Kosova e Re, e Behgjet Pacollit.
Kurse, sa i përket mospublikimit të letërkëmbimit me presidentin Hashim Thaçi, zyrtarë të LDK-së kanë thënë se këtë do ta bëjnë pas prezantimit të kabinetit qeveritar.
https://youtu.be/fFNNpS4vQoI

