LAJME

‘Garda e vjetër orkestroi rrëzimin e Kurtit’: Freedom House i heq Kosovës pikë për lirinë

Freedom House nxori raportin e saj vjetor të vitit 2021 për Lirinë në Botë. Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh gjithsej nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik, njofton Zeri i Amerikes.

“Kjo kishte të bënte me miratimin e qeverisë së kryeministrit Hoti nga një shumicë me një vote diferencë të një deputeti që kishte qenë i dënuar”, thotë Amy Slipowitz, bashkëautore e raportit dhe menaxhere për kërkimet në Freedom House.

Parregullsia e këtij procesi solli rënie.

“Ishte gjithashtu edhe rënia në kategorinë për opozitën për shkak se garda e vjetër politike orkestroi rënien e qeverisë së Albin Kurtit të partisë Vetëvendosje”, tha zonja Slipowitz.

Megjithë rënien e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje, madje me 3 pikë më shumë se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut është një nga vendet e përmendura për rritje të konsiderueshme në raport.

“Qeveria reformiste e Maqedonisë së Veriut u rizgjodh dhe institucionet e saj kryesisht e kanë rimarrë veten nga dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski”, thuhet në raport.

2020-a ishte një vit ku pandemia e koronavirusit mbizotëroi në botë jo vetëm si krizë shëndetësore dhe Shtetet e Bashkuara pësuan një rënie të konsiderueshme në nivelin e demokracisë. Fredoom House thotë se pasojat ndjehen në gjithë botën.

“Kur vendet demokratike pësojnë rënie, ose tregojnë dobësi, kjo u jep aktorëve autoritarë diçka për të përmendur dhe hapësirë për të pretenduar se demokracia është një sistem inferior”, thotë bashkëautorja e raportit, Sarah Repucci, nënpresidente për studime dhe analizë në Freedom House.

Liria në Shtetet e Bashkuara ra me tre pikë dhe në dekadën e fundit ka rënë 11 pikë, një rënie e thellë që tashmë e vendos vendin më pranë shteteve me insitucione të dobëta si Rumania dhe Panamaja.

Dëmi më i madh thotë për demokracinë amerikane thotë zonja Repucci, ishin përpjekjet e Presidentit Trump për të përmbysur vullnetin e votuesve amerikanë dhe pretendimet e tij të pabaza për mashtrime në zgjedhje.

Duke përmendur si shembull ngjarjet e 6 janarit, ekspertët e organizatës Freedom House që ka matur nivelin e lirisë në botë prej dekadash, thonë se propagandistët në botë përdorin pikërisht këtë argument kundër vendeve demokratike.

“Administrata e Presidentit Biden duhet ta bëjë përparësi konsolidimin e demokracisë, ne duhet të riparojmë dobësitë afatgjata dhe jo të përqendrohemi në zgjidhje afatshkurtra”, thotë zonja Repucci.

Megjithatë studiuesit vënë në dukje se fakti që sistemi gjyqësor funksionoi tregoi forcën e demokracisë.

Freedom House përmend si një nga shqetësimet kryesore rolin e Kinës si në fshehjen përmasave të pandemisë, ashtu edhe në përpjekjet për shtrirjen e ndikimit në botë.

Megjithë rënien në nivelin e lirisë, Freedom House arrin në përfundimin se demokracia në shumë pjesë të botës vazhdoi të tregojë aftësinë e saj ripërtëritëse, siç kanë treguar protestat në vende si Malawi, Myanmar dhe Rusia./syri.net

LEAVE A RESPONSE