Kandidati për kryetar të LDK-së, Lutfi Haziri ka folur për arsyet që e kanë shtyrë që t’i hyjë garës për kryetar të partisë.
Ai ka thënë se pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit, i është dukur si obligim dhe përgjegjësi që të kandidojë për kryetar të partisë.
“Nëse nuk do të ishte ky rezultat dhe të ishte ndonjë kandidat tjetër për kryetar që anëtarësia ia ka besuar pozitën, unë nuk do të kisha kandidu fare. Unë politikën nuk e kam jetë, shumë lehtë kam pasur mundësi të pensionohem, por e kam kauzë. Në këtë situatë që jemi, po të mos i isha futur garës do të ishte abstenim politik për njerëzit që më vlerësojnë, ishte quajtur frikë politike dhe dezertim nga militantët e partisë“, ka thënë Haziri në Kanal 10, transmeton Periskopi.
Ai ka thënë se nuk ka mundur të pranojë ikjen nga sfida e kandidimit.
“Po të ishte i mirë rezultati i zgjedhjeve të fundit atëherë kandidatura ime do të ishte ambicie politike, por me këtë rezultat kjo kandidatura ime është kauzë”, ka thënë Haziri. /Periskopi


