284 raste të reja me koronavirus në Serbi – bilanci arrin në 1.908 Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se dhjetëra ushtarë nga Brigada e Parë e Ushtrisë serbe janë infektuar me koronavirus.
Ai tha se këta ishin ushtarët që organizuan karantinën në Moroviç dhe Paliq, transmeton KosovaPress.
“Kemi shumë ditë të vështira përpara dhe shumë nuk janë të vetëdijshëm për të,” tha Vuçiq gjatë një vizite në Krnjesevci afër Pazovës. Kurse, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, në Serbi janë raportuar 284 raste të reja të koronavirusit. Kështu, numri i pacientëve u rrit nga 1.624 në 1.908.
Nga raporti i fundit deri në 15.00, u testua një mostër prej 959 individësh, nga të cilët 284 ishin pozitivë. Ka edhe shtatë të vdekur, duke rritur bilancin e përgjithshëm në 51.



