LAJME

Njihuni me 52 vjeçaren shqiptare që punon tre punë në Zvicër – Arsyeja do ju befasojë pozitivisht

Ndjenja e humanizmit brenda saj ishte zgjuar qysh në moshën fëmijërore, jo gjithaq për kushtet në familjen e saj, sa për keqardhjen dhe dhembshurinë që ndjente për fëmijët dhe familjet tjera, shkruan Mediafokus.info

Qysh atëherë, Makfire Shkodra nga Desivojca e Kamenicës e kuptoi se nga do të anonte shpirti i saj kur të rritej dhe këtë ndjenjë e shndërroi në mision jetësor, të cilin vazhdon ta bëjë prej 31 vjet e më tepër.

Ta ndash kohën dhe djersën tënde me të tjerët, duhet të kesh shpirt të bardhë si Makfire Shkodra Gajtani.

52-vjeçarja, nënë e një djali dhe një vajze, përkundër shëndetit të përkeqësuar, vazhdon t`i bëjë tri punë në Zvicër, jo pse ka nevojë për vete dhe familjen, por sepse dëshiron t`i ndihmojë nevojtarët.

Pra, siç thuhet, ajo ‘bën një punë për veti, dy për n`gjeti’. Prej 31 vitesh, që kur ndodhet në Zvicër, në kantonin Zyrich, ajo ka ndihmuar dhjetëra e dhjetëra familje në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjithandej ku ka dëgjuar se ka nevojtarë, me para, mjete të kuzhinës, orendi shtëpiake, material ndërtimor, zgjidhjen e problemit banesor, veshmbathje, dru për dimër, ilaçe…gjithçka dhe të gjitha të reja.

‘‘Çdo dy-tri javë i nis për Kosovë valixhet me ndi h ma dhe gjithmonë dëshiroj të bëjë më shumë për njerëzit e mi atje”, thotë Makfirja.

Por, ajo ka edhe një ëndërr që dëshiron ta realizojë në të ardhmen, pavarësisht se ka persona që përpiqen ta dekurajojnë, duke i thënë ‘lere se u mbyte, kush nuk ta dinë’.‘‘Dëshira ime është që ta bëjë një familje nevojtare me shtëpi dhe nëse e realizoj edhe këtë ëndërr, s`kam frikë të vdes’’, thotë Makfirja për Mediafokus.info

Falënderon Zotin që i ka dhënë fuqi të punojë për fëmijët e saj dhe për njerëzit në nevojë. ‘‘Nuk është e lehtë për mua, por kam mirëkuptimin e familjes, fëmijëve dhe burrit, po edhe të grave tjera këtu në Zvicër, shqiptare e zvicerane, që më përkrahin në aksionet e mia humanitare’’, thotë ajo.