Përse po e quajnë greke skulpturën “Kalorësi dhe kali” nga Shqipëria, ekspozuar në “The Getty Villa”?!
Si e greqizojnë përmes etiketash një artefakt gjetur në një qytet Ilir
Sipas përshkrimit zyrtar të bërë nga Getty Villa Museum, përgjegjës për restaurimin e veprës; “Gjatë gërmimit të një vendbanimi të lashtë grek në Babunjë, një rajon i Shqipërisë i populluar dikur nga kolonistët grekë, arkeologët zbuluan këtë statujë bronzi të jashtëzakonshme të një kalorësi. I gjendur në gjendje të jashtëzakonshme, mjeshtëria e këtij kalorësi të armatosur mbi një kalë të rregulluar u dallua menjëherë. Konservatorët e Getit bashkëpunuan me Institutin Shqiptar të Arkeologjisë për të analizuar, pastruar dhe ruajtur këtë statujë. Kjo ekspozitë zbulon rezultatet e procesit të konservimit dhe vendos këtë shembull unik të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë brenda historisë së pasur antike të rajonit.”
Përse nacionalizohet kjo vepër, kur është fare qartë se kultura helene, apo shkrimi nuk qenë pronë e një etnie të vetme, apo nuk qëndronin nën një flamur kombëtar?!
Kalorësi mund të jetë një grua
“Vrapuesja e Prizrenit”, dorëzuar nga arkeologu britanik, Sir Arthur Evans në Muzeun Britanik të Londrës, ka një paraqitje dhe veshje të ngjashme ndaj edhe nuk ka se si të greqizohet përmes etiketash një vepër e rrallë, gjetur në mes të Shqipërisë, Babunjë (Lushnje) ose thënë ndryshe Arnisa, një qytet i lashtë Ilir, i zhdukur dhe që figuronte vetëm në hartat e Ptolemeut, lënë gati në harresë, plot 70 vjet pas zbulimit të gjurmëve të para të saj nga Hasan Ceka.
Arnisa, qyteti i harruar ilir i Taulantëve në Lushnje
Duke perjashtuar territoret që zinte Polisi i Apollonisë, në tokat e Taulantëve shtriheshin edhe disa qytete si Arnisa, Sesareti etj”. Babai i arkeologjisë shqiptare Hasan Ceka këtë qytezë e lokalizon në fshatin Babunjë e Re ne rrethin e Lushnjes.
Gërmimet e para arkeologjike u bënë ne vitet ’89. Aty arkeologet zbuluan pjese të një muri protourban, që daton në fillim të periudhës së Hekurit të Hershëm.
Në pjesën e sipërme të kodrës u zbuluan gjithashtu parete enësh qeramike të shek VII-V p.e.s Arkeologet zbuluan gjithashtu themelet e murit fortifikues të “qytezës” që daton në shek IV p.e.s. Sipërfaqja e “qytezës” zinte rreth prej 2.3 ha. Qyteti zhvillimin më të madh të tij e pati në shek e IV-III p.e.s. Qeramika e gjetur në gjithë hapësirën e vendbanimit daton ne shek IV-III p.e.s
Pjesë nga muri fortifikues i zbuluar në Babunjë, ruhet në Muzeun Historik Lushnje.
Ngjashmëria me “Vrapuesen e Prizrenit”
Siç e theksuam edhe më lartë, ka të ngjarë që kalorësi të jetë një grua, jo një burrë. Nëse shohim krahërorin e saj dhe në pjesën e poshtme të fustanit (shih figurën në fund të shkrimit) i cili ka një punim tipik grashë. Kur flasim për “Vrapuesen e Prizrenit” (përmendur më lartë) së pari kemi parasysh se kemi të bëjmë me një artefakt të periudhës së Halshtatit (Hekurit) të Vonshëm (fundi i shek. VI dhe fillimet e shek. V p/Kr.), e cila përfshihet në të ashtuquajturin Halshtati D, periudhë kjo e cila në aspektin arkeologjik në trevën e Dardanisë nuk është hulumtuar sa duhet dhe si e tillë kjo periudhë, ndryshe prej periudhave të tjera edhe sot e kësaj dite ka dhënë rezultate të mangëta, qofshin ato arkeologjike, antropologjike ose historike. Kjo periudhë, së bashku me periudhën e Halshtatit C (mesi i shek. VI p/Kr.), sipas ndonjë studiuesi, veç figurinës për të cilën jemi duke bërë fjalë, në trevën e Dardanisë ka nxjerrë në dritë edhe Menadën e Tetovës, si dhe dorëzën e pasqyrës nga treva e Kosovës së sotme, gjetje këto të cilat provojnë për marrëdhëniet e afërta të Greqisë dhe Ilirisë përgjatë shekujve VI-V p/Kr.
Paqartësitë logjike mbi kolonitë Helene në Iliri
Këtu do i përmbahemi shkurtimisht arsyetimit brilant të Besnik Imerit në librin “Epiri një histori Pellazgo-Shqiptare”, botuar në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë. “Tema e kolonive helene në brigjet e Mesdheut, me krijimin e shtetit grek në fillim të shekullit të XIX, është bërë një temë e nxehtë, ku qarqet e vetëquajtura greke, apo akoma më keq, helene, e trajtojnë në një mënyrë shoviniste, politikisht; demagogjike dhe sofiste, nga pikëpamja shkencore; dhe, cinike e të paturpshme nga pikëpamja morale. Por pas kësaj “lehje helene”, këto 150 vjetët e fundit, gjithmonë kanë qëndruar Fuqitë e Mëdha, ose e thënë ndryshe shtete të caktuara të Europës, të cilat,mbështetur në këto dogma dhe demagogji helene të të ashtuquajturave koloni helene, vazhdimisht e kanë “ndërsyer” Greqinë kundër shteteve si Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia, duke mëtuar territore, brigje, ishuj, pjesë të deteve dhe shelfeve detare. …
Kolonitë helene, nëqoftëse do t’i shikonim me syrin e sotëm, fare mirë mund t’i quanim zona të lira, ku biznesmenët helenë ngritën bizneset e tyre.
Këta kolonistë kanë qënë kryesisht tregtarë dhe zejtarë. Edhe nëqoftëse do të pranonim se një grusht kolonistësh i kanë pushtuar këto qytete ose territore; ata nuk do të mund t’i mbanin dot ato për një kohë të gjatë, sepse vendësit me ndihmën e vellezërve të tyre të prapatokës, do t’i kishin hedhur në det miqtë e paftuar. Mjaft autorë flasin për ngritjen e kolonive në Epir, kryesisht në Thesproti, por ata thonë me vendosmëri, se në këto koloni nuk u përmbys rendi etnik.” Për hir të arsyetimit duhet theksuar se shkrimi i mbështetur në alfabetin fenikas, shërbente si gjuhë konvencionale. Kjo arsyeton mbishkrimet. Ndërsa sa i takon zejeve dhe punimeve të ndryshme artistike, nuk ka asnjë të dhënë që të mund të vërtetojë apriori përkatësinë ndaj njërës palë apo tjetrës. Kujtojmë këtu se “Koloni nuk ngritën vetëm helenët, por koloni ngritën edhe Ilirët, ku më të shquarit në këtë drejtim janë Liburnët. Ata ngritën koloni në të dy brigjet e detit Adriatik, atij Apenin dhe atij Ilirik.”
Ngatërresa mes helenizmit dhe greqizmit
Marrëdhëniet e afërta të Greqisë dhe Ilirisë përgjatë shekujve VI-V p/Kr., nëkupton marrëdhëniet mes ilirëve, paraardhësve të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, vërtetuar kjo përmes studimit të ADN-së dhe popujve helenë. Qartësojmë se kultura Helene është kultura shumëfetare, shumëhyjnore e disa popujve dhe në tërësi është një kulturë që qëndron mes mitologjisë dhe historisë. Johann Gustav Droysen (1808-84) i përkiste një shkolle gjermane të mendimit historik të ndikuar nga Hegeli, i cili theksoi rolin e individëve të mëdhenj në histori.
Droysen është një nga historianët më të njohur gjermanë, për hir të miqësisë së tij me mbretin e parë të Greqisë së re Otto Friedrich Ludwig von Bayern. Biografia e tij për Aleksandrin e Madh dhe historia e tij e helenizmit janë ndër veprat historike të shekullit të 19-të, të cilat thuajse nuk kanë dalë kurrë nga shtypi. Ai shpiku termin “epoka helenistike” për periudhën midis Aleksandrit dhe Perandorisë Romake. Shpikja e tij romantike konsolidoi disi pozitat e Otto ëndërrimtarit, në fron, i cili kërkonte me këmbëngulje të krijohet një njejtësim mes popujve helenë dhe popullit shumëetnik që jetonte në Rumelinë (Greqia moderne) e vitit 1830. Droysen ia plotësoi këtë konditë me krijimin e tij.
Sot e kësaj dite në Greqi ka një ngërç konceptual dhe shumë idividë duan të identifikohen si helenë, e njëherazi edhe të krishterë, por pa qenë të qartë se helenë nuk është term etnik, por kulturor dhe teologjik. Sakaq që grek është një koncept postkristjan dhe që nuk gjendet askund, në pozitat e një përcaktori etnik ose fetar, para lindjes së Krishtit. Atëherë përse kjo këmbëngulje për të quajtur greke një vepër arti të prodhuar hipotetikisht 500 vjet para Krishtit e të gjetur në trojet e Ilirisë së dikurshme e të Shqipërisë së sotme?
Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup