BOTA
Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Forcat ajrore të Teheranit nuk ekzistojnë më
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka bërë deklarata të forta lidhur me gjendjen e forcave ushtarake iraniane, duke theksuar se SHBA ka shkaktuar humbje të konsiderueshme në radhët e tyre.
I kemi shkatërruar. Gjeneralët më të rëndësishëm nuk mund të komunikojnë as të koordinojnë ofensivën e tyre. Aviacioni iranian nuk ekziston më, u ndërtua në 1996 dhe u shkatërrua në 2026. Marina iraniane është praktikisht fundosur në Gjirin e Persik, ne kemi dezimuar flotën e tyre,” tha Hegseth gjatë një konference për shtyp në Uashington.
Hegseth shtoi se rezultatet e operacioneve amerikane tregojnë një goditje të rëndë ndaj kapaciteteve strategjike të Iranit, duke prekur si forcën ajrore ashtu edhe flotën detare. Sipas tij, këto humbje pritet të ndikojnë në aftësinë e Iranit për të kryer operacione ushtarake në rajon dhe do të forcojnë pozitën e SHBA-së në Gjirin e Persik.
Në një konferencë për shtyp në Pentagon, Hegseth citoi Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke thënë:
“Po vijnë valë gjithnjë e më të mëdha. Ne sapo kemi filluar. Po përshpejtojmë, nuk po ngadalësojmë.”
Sipas tij, faza e radhës synon që forcat ajrore amerikane dhe izraelite të marrin “kontroll të plotë të qiellit iranian”, një objektiv që pritet të arrihet “brenda një jave”.
Hegseth shtoi se operacionet do të fokusohen në: neutralizimin e raketave iraniane, goditjen e bazës industriale mbrojtëse të ushtrisë iraniane, si dhe shënjestrimin e udhëheqësve ushtarakë iranianë. “Kjo nuk ishte menduar kurrë të ishte një ndeshje e drejtë, dhe nuk është një ndeshje e drejtë.”, deklaroi ai.
Deklaratat e tij sinjalizojnë një fazë më intensive të operacionit ushtarak dhe rrisin tensionet në rajon.